LIGJ

Nr. 82/2022

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR[1]

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas shkronjës “p” të nenit 51, “Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm”, shtohet shkronja “q” me këtë përmbajtje:

“q) Furnizimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.

Neni 2

Pas pikës 44 të nenit 56, “Përjashtime të veçanta në import”, shtohen pikat 45 dhe 46 me këtë përmbajtje:

“45. Mallrat e destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshje donacioni/granti të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.

Kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me udhëzim të ministrit të financave.

  1. Importimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.

Neni 3

Pas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 60, “Furnizime të përngjashme me eksportet”, shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:

“c) Furnizimi i mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.”.

Neni 4

Në fund të pikës 2, të nenit 77, “Rimbursimi i TVSH-së”, shtohen fjalët “me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 45 të nenit 56 dhe germës “c” të pikës 1 të nenit 60 të këtij ligji”.

Nen 5

Pas nenit 155, “Mbajtja e llogarive”, shtohet seksioni 6, “Regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë”, përfshirë nenet 155/1, 155/2 dhe 155/3 me këtë përmbajtje:

“SEKSIONI 6

REGJIMI I VEÇANTË PËR BURSËN SHQIPTARE TË ENERGJISË

Neni 155/1

Përkufizime

Për qëllime të këtij seksioni, me termat e mëposhtëm kuptohet:

  1. a) “Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike” është struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar ndërmjet platformës së tregut për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, në bazë të ditës në avancë dhe/ose brenda së njëjtës ditë, si dhe për të gjitha aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut.
  2. b) “Treg energjie elektrike” është një sistem ku kryhen shitje dhe blerje efektive, përfshirë edhe derivativët e energjisë elektrike, nëpërmjet kërkesave dhe ofertave, të paraqitura në periudha afatgjata dhe afatshkurtra.
  3. c) “Derivativ elektrik” është një instrument financiar që mund të përdoret nga pjesëmarrësit e tregut të energjisë elektrike si mjet sigurie ndaj luhatjeve të mundshme të çmimit të energjisë elektrike në treg.
  4. d) “Pjesëmarrës i tregut të energjisë elektrike” është një person juridik, i regjistruar si pjesëtar i tregut të energjisë elektrike, që përfshin prodhuesit, tregtarët, furnizuesit, klientët, Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, sistemet e mbyllura të shpërndarjes dhe operatorin e tregut. Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes janë pjesëmarrës të tregut të energjisë elektrike vetëm për qëllim të sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjet, balancimin dhe shërbimet ndihmëse.

Neni 155/2

Përjashtimi nga tatimi

Përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar importimi dhe furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike.

Neni 155/3

Pagesa e TVSH-së

  1. Në rastin e furnizimit të energjisë elektrike të tregtuar nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur shpallen rezultatet në tregjet e ankandeve të ditës në avancë ose brenda së njëjtës ditë ose në momentin kur urdhër porositë përputhen në rastin e tregut të vazhdueshëm brenda së njëjtës ditë.
  2. Deri më 31 dhjetor 2026 TVSH-ja është e pagueshme nga personi i tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike në përputhje me parashikimet e këtij seksioni dhe përcaktimet e nenit 21. Për efekt të përllogaritjes së TVSH-së blerësi i energjisë elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike kryen autongarkesën (reverse-charge) e TVSH-së në cilësinë e personit përgjegjës për pagesën e TVSH-së.

Procedurat për zbatimin e kësaj pike dhe fillimi i aplikimit të kësaj skeme të veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1 janari 2023.

Miratuar më datë 24.11.2022.

Shpallur me dekretin nr.13881, datë 19.12.2022 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

 

 

[1] Ky ligj është përafruar pjesërisht me:

– direktivën e Këshillit 2006/112/KE, datë 28 nëntor 2006 “Mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar”, e ndryshuar”, numri CELEX 32006L0112, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 347, datë, 11.12.2006, faqe 1-118”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *