VENDIM
Nr. 114, datë 01. 03. 2023
PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË KONTINGJENCËS PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË RRITJES SË KONTRIBUTEVE TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE, PËR ÇDO TË PUNËSUAR MË PAGË MINIMALE, PËR SHKAK TË RRITJES SË KËSAJ PAGE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
-
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Dhënie kompensimi financiar për subjektet e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, për kontributet shoqërore dhe shëndetësore, llogaritur mbi shtesën e pagës minimale nga 34 000 (tridhjetë e katër mijë) lekë në 40 000 (dyzet mijë) lekë, për çdo të punësuar me pagë minimale, për çdo muaj, për periudhën kontributive prill–dhjetor 2023.
- Subjektet përfituese të kompensimit financiar ushtrojnë aktivitet në sektorët ekonomikë të nomenklaturës së veprimtarive ekonomike në industri përpunuese, bujqësi, pyje dhe peshkim.
KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT FINANCIAR
- Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me pagë minimale, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore, për muajin dhjetor 2022, për subjektet që ushtrojnë aktivitetin në sektorët e përcaktuar në pikën 2, të kreut I.
- Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive prill–dhjetor 2023, nga zyra rajonale e punësimit, ku kanë adresën primare subjektet.
- Kompensimi financiar për subjektet, për periudhën prill–dhjetor 2023, jepet për numrin e të punësuarve me pagë minimale të deklaruar në muajin që kërkon kompensim, por jo më shumë se numri maksimal i të punësuarve me pagë minimale të deklaruar për muajin dhjetor 2022.
- Subjektet me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
- a) të jenë subjekte jo në pronësi shtetërore;
- b) të mos jenë të vetëpunësuar;
- c) të mos jenë në proces falimentimi;
ç) të mos kenë detyrime ndaj organeve tatimore për sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore, deri në momentin e aplikimit ose në momentin e aplikimit të vërtetojnë se:
- kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
- kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat.
- Subjektet private duhet të dorëzojnë kërkesë për aplikim elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës, nga muaji i pritshëm i deklarimit, për periudhën që kërkojnë kompensim, në të kundërt humbasin kompensimin për atë periudhë.
PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR DHËNIEN E KOMPENSIMIT FINANCIAR
- Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.
- Zyra përkatëse e punësimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve, pasi bën verifikimet, sipas pikës 1, të këtij kreu, harton listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare dhe i dërgon këto lista pranë këtyre bankave.
- Zyra përkatëse e punësimit ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.
MASA E PËRFITIMIT PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR
- Kompensimi financiar jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, llogaritur mbi shtesën e pagës minimale nga 34 000 (tridhjetë e katër mijë) lekë në 40 000 (dyzet mijë) lekë, për çdo të punësuar me pagë minimale, për çdo muaj, për periudhën kontributive prill –dhjetor 2023. Kompensimi financiar është në masën 1 674 (një mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë/muaj për çdo të punësuar.
- Verifikimi, llogaritja dhe shpërndarja për përfituesit e këtij vendimi do të bëhen sipas procedurave të dokumentimit e të shpërndarjes nga institucionet e përcaktuara sipas këtij vendimi.
DISPOZITA TË FUNDIT
- Rregulla të hollësishme për mënyrën dhe procedurat e aplikimit, mënyrën e llogaritjes së kompensimit, verifikimit dhe ankimimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
- Efekti financiar, prej 452 000 000 (katërqind e pesëdhjetë e dy milionë) lekësh, për periudhën prill – dhjetor 2023, të përballohet nga “Fondi i kontingjencës”, i miratuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2023. Ky fond shtohet në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, miratuar për vitin 2023, në programin “Tregu i punës”, në zërin 603 “Subvencione për nxitjen e punësimit”.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletore Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
